Teleteksti
Opinione

Koronavirusi, si një ëndërr opozitare

koronavirusi,-si-nje-enderr-opozitare

Bindja e tyre se koronavirusi mund të shkatërrojë botën e bashkë me të dhe qeveritë, për të ardhur ata në pushtet, është një makth që ua bën më të vështirë karantinën. Duhet ta marrin më lehtë, se mund të zgjasë ca dhe nuk dihet kë lë gjallë.

Mu në mes të krizës më të rëndë shëndetësore të kësaj epoke, debati politik në Shqipëri dhe Kosovë, duket se e shikon koronavirusin si një projekt të mundshëm politik, dhe jo si krizë epidemiologjike.

Loading...

Qeveria e Kosovës rrezikon të humbasë mbështetjen në Kuvend, pasi kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar në mënyrë të njëanshme, një ministër, të cilin e konsideron “bashkëpuntor” të opozitës, kundër tij.

Shkarkimi me sa duket ka qenë llogaria e Albin Kurtit, për t’i detyruar partnerët në koalicion të ulnin kokën para tij për shkak të krizës së koronavirusit, ose të akuzoheshin se po shkatërronin Qeverinë në mes të krizës.

Tani që LDK me sa duket nuk po tërhiqet, rezultati do jetë i njëjtë, edhe sikur të ketë qenë e vërtetë paranoja e Albin Kurtit, që ministri i tij po flirtonte me kundërshtarët për ta rrëzuar, duke vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në Parlament.

Në të vërtetë, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, është një vendim që duhet ta marrë Qeveria nëse ka nevojë, por në rastin e pandemisë, shpallet gjendja e jashtëzakonshme shëndetësore, që është një plan veprimi nën drejtimin e Qeverisë.

Ideja se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, ja jep kompetencat Presidentit, ka kuptim kur vendi humbet kontrollin dhe zhytet në kaos, apo luftë civile, dhe jo kur duhet të respektojë oraret e karantinës.

Në këtë aspekt, Albin Kurti ka të drejtë të mbrojë idenë që nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme, por jo të shkarkojë një ministër për këtë shkak, pasi paranoja e tij ndaj gjendjes së mundshme të jashtëzakonshme, ka krijuar një krizë dhe më të madhe, se sa mund të ishte tentimi për ta zhvlerësuar rolin e tij si kryeministër në këtë krizë. Ai praktikisht mund të ikë si kryeministër, mu në mes të krizës, nëse nuk tërhiqet nga vendimi i tij dhe nuk gjen gjuhën me LDK.

Në Shqipëri, kundërshtarët e Qeverisë po ashtu janë përfshirë në rekomandime bajate për krizën, dhe sillen sikur Qeveria ka një plan kundër popullit dhe ata po e zbulojnë, me idenë se kjo krizë zhduket, vetëm nëse bashkëqeverisin, ose siç thoshte ajo “sms” e Enit “të ulet Luli në vend të Ramës”.

Nuk di pse u është fiksuar që masat e Qeverisë, karantina e ashpër, apo dhe dalja e policisë dhe ushtrisë në rrugë, janë masa që nuk luftojnë koronavirusin, por opozitën. Në fakt, opozitën nuk ke ku ta gjesh më, dhe nëse vendos ta luftosh, pasi Lulzim Basha e Sali Berisha, e kanë zhdukur nga Parlamenti dhe Bashkitë. Dhe Voltanën që kanë lënë në Shkodër, e shikoni se çfarë po bën, duke nxitur qytetarët të shetisin rrugëve, si shenjë opozite ndaj Qeverisë, duke i bërë gjëmën qytetit.

Por ajo që është interesante, është se kundërshtarët e Qeverisë në Shqipëri, njësoj si në Kosovë, flasin për gjendje të jashtëzakonshme, por të njëjtët e kundërshtojnë idenë se në Kosovë duhet të ketë gjendje të jashtëzakonshme. Pra, Berisha, Basha apo kritikë të pavarur si Lubonja etj, mendojnë se Kurti në Kosovë bëri mirë që kundërshtoi gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa Rama bën gabim që nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme.

Arsyeja është e thjeshtë. Atje janë me Kurtin, këtu janë me Berishën.

Mjafton ky banalitet, për të kuptuar sa bajate është përfshirja e tyre në debatin për krizën e epidemisë së koronavirusit.

Si në Kosovë, ashtu dhe në Shqipëri, epidemia është një operacion që përballohet nga Qeveria, ashtu si në gjithë botën. Aktorët e tjerë politikë, përfshi Presidentin apo opozitarët e thjeshtë, duhet të mbështesin planin e Qeverisë, që diktohet nga autoritet shendetësore.

Mungesat që kemi dhe pafuqinë e sistemit, nuk e ndryshojmë dot, as këto muaj, as në vitet që vijnë. Ndaj është banale dhe e lodhshme dhe për qytetarët, që të dëgjojnë çdo ditë dy plane, një plan veprimi nga Qeveria, dhe një plan opozitar, që në raste qesharake, përsërit të vërteta të njohura, ose në raste malinje, flet për miliona e miliarda, në një vend ku njerëzit shpresojnë të kenë bukë deri për dy muaj.

Bindja e tyre se koronavirusi mund të shkatërrojë botën e bashkë me të dhe qeveritë, për të ardhur ata në pushtet, është një makth që ua bën më të vështirë karantinën. Duhet ta marrin më lehtë, se mund të zgjasë ca dhe nuk dihet kë lë gjallë. (Gazetatema).

Loading...

Tjera nga rubrika

Vidovdani dhe politika gjenocidale serbe

Teleteksti

Evropa nuk e deshi Amerikën në dialogun Kosovë-Serbi!

Teleteksti

Rrëfimi i Dr. Dafina Krasniqit për sfidat gjatë ballafaqimit me Covid 19

Teleteksti

Paranoja e Presidentit (1)

Teleteksti

Enver Hasani, azilant me emër të rrejshëm në Angli

Teleteksti

Rimëkëmbja ekonomike pas COVID në Kosovë

Teleteksti
Agjencia e lajmeve "TELETEKSTI"
www.teleteksti.com - adresa e saktë